Fjalët e Urta:Philosophy

Proverbat janë fraza të shkurtra që shprehim me pak fjalë filozofinë popullore (urtinë popullore). Pikërisht për këtë, ato thirren nga populli edhe fjalë të urta.
Proverbat janë të përhapur në të gjithë botën dhe nuk ka dyshim se midis tyre hasen edhe ngjashmëri apo identitete. Megjithatë, çdo popull ka proverbat e tij, të ndërtuara sipas psikologjisë dhe përvojes së tij jetësore, filozofike e historike.

Proverbat shqiptarë janë të pasur me mendime dhe shprehin përvojë të gjatë. Ata janë përhapur në tërë Shqipërinë, por duhet thënë se Kruja e malësia e saj shquhen për proverba me të vërtetë të bukur dhe të ndërtuar me hollësi artistike.

Nganjëhere është e lehtë të caktohet pak a shumë një moshë për një proverb të caktuar, por në më të shumtën është e vështirë aq më tepër që në rrymë të kohës, proverbat edhe evoluojnë e mund të marrin edhe trajta disi të ndryshme.  Edhe prania e turqizmave mund të jetë dëshmi e moshës: të tillë proverba mund të kenë lindur pas pushtimit otoman të Shqipërisë, por kjo nuk largon mundësinë që këto proverba të kenë lindur më parë e më pas të kenë pësuar këtë transformim të lehtë që nuk prek brendinë, por vetëm anën e jashtme.

Proverbat flasin për dukuri dhe situata të ndryshme në jetën e njeriut. Në to shpaloset qartë filozofia e popullit dhe ne gjejmë në to vlerësime për shumë dukuri e anë të jetës. Në këtë vështrim ato janë mësime të vërteta megjithatë do të ishte punë e kotë të orvateshe e të gjeje një konsekuencë të plotë në të gjitha proverbat: shpeshherë për të njëjtën dukuri mund të hasen vlerësime të ndryshme, madje edhe të kundërta. Kjo vjen nga fakti se proverbat janë krijuar nga njerëz e shtresa të ndryshme dhe për këtë nganjëherë është e vështirë të shmangen ndryshimet. Sidoqoftë ka proverba që flasin për jetën, për dukuri shoqërore për natyrën e njeriut, për cilësitë dhe të metat e tij, për natyrën, për familjen, për detyrat e secilit etj.

Shpesh, mbledhësit e folklorit përpiqen t’i renditin ato duke i ndarë në grupe sipas tematikës që ato trajtojnë. Kështu veprojnë një pjesë, mbasi një pjesë tjetër i rendit sipas rendit alfabetik (duke marrë për bazë fjalën e parë) duke qënë se mendojnë që proverbat nuk mund të kufizohen nga ana tematike, mbasi përdorimi i tyre në praktikë nuk njeh tematikë dhe praktikisht përshtatet në mënyrë figurative për shumë situata e dukuri të ndryshme.

Sidoqoftë një farë organizimi i tyre nevojitet kur ato mblidhen për të bërë më të volitshëm përdorimin e tyre. Kështu veprojnë mbledhësit më të shquar të proverbave tanë, siç kanë qenë Kolë Kamsi me “Goja e popullit” (1943), Sotir Kolea me “Një tufë proverba” (1944) etj.